BREAKING NEWS :
Home » » Parandaloni mashtrimet ne Facebook

Parandaloni mashtrimet ne Facebook

Written By Unknown on Thursday, July 25, 2013 | 1:33 PM

Të gjithëve na ka rënë rasti të shohim forma të ndryshme mashtrimesh në Facebook. Ndoshta në formën e një historie që pretenton se është frymëzuese për t’u lexuar, apo një që do t’ju befasojë etj.
Të biesh pre e mashtrimeve në Facebook ka më tepër pasoja se sa mund të mendojmë ne. Për më tepër, postimi i komenteve apo ripostimi i mashtrimeve në Facebook mund të ekspozojë të dhënat tuaja personale. Me pak fjalë, është mjaft e rëndësishme të dini si të mbroheni nga to për të mos rënë viktimë. Më poshtë do t’ju paraqesim disa këshilla.
Kontrollo, kontrollo, kontrollo
Nëse keni lexuar një histori që ngjan shumë e bukur apo befasuese për të qenë e vërtetë, ndoshta ia vlen të kërkoni e të kontrolloni më tepër për vërtetësinë e saj. Për shembull, vërtet mendoni se duke klikuar butonin “pëlqej” mund të shpëtohet jeta e një njeriu që po vdes? Mendoni vërtet se vdekja e një personi të famshëm do raportohej fillimisht në Facebook dhe jo në lajme?
Për të verifikuar “legjendat urbane” në Facebook, ju sugjerojmë faqen Snopes.com. Ose mund të bëni thjesht një kërkim në Google apo Bing për të konfirmuar ose jo atë që sapo keni lexuar.
Tregohuni gjithmonë skeptikë për kërkesat e pëlqimeve
Mos harroni, sa herë klikoni butonin “pëlqej” të një faqeje, i krijoni mundësi asaj të shfaqë postimet në faqen tuaj kryesore. Për shembull, duke klikuar butonin “pëlqej” të një faqeje mund të mendoni se nuk po humbisni gjë, me rritjen e numrit të fansave, administratori i faqes mund t’ia shesë atë dikujt tjetër për arsye komerciale. Prandaj, shikoni me kujdes faqet që ju interesojnë vërtet.
Mos klikoni linqe që ju ngjajnë të çuditshme
Teksa i hidhni një sy postime në Facebook, ju shfaqen dhjetra linqe, prandaj ka rëndësi të dini të dalloni cilat prej tyre mund të jenë dashakeqëse. Linqet që vijnë nga faqe të besueshme si YouTube, Huffington Post, New York Times etj, janë përgjithësisht të besueshme. Ndërsa linqet e shkurtuara, të cilat fshehin adresën e vërtetë mund t’ju krijojnë probleme. Nëse shihni që postimi shoqërohet me një histori tepër sensacionale, tregohuni të kujdesshëm dhe mos e klikoni nëse jeni në dyshim. Mund ta klikoni më vonë pasi të keni lexuar komentet që kanë bërë njerëzit.
Kujdes nga bamirësitë
Në Facebook mund të shihni shumë foto që tentojnë të grumbullojnë para për njerëz në nevojë. Zakonisht, këto postime shoqërohen me një histori tragjike ku thuhet gjithashtu se për çdo “pëlqim” do të dhurohet një dollar. Sigurisht, këto lloj formash bamirësie nuk janë zyrtare dhe nuk duhet t’u besoni. Bamirësitë e vërteta kanë nevojë për para dhe nuk i mbledhin ato në këtë mënyrë.
Përhapeni të vërtetën
Nëse e njihni personin që po shpërndan mashtrimin, njoftojni atë. Të njëjtën gjë mund të bëni edhe nëse shihni që miqtë tuaj po postojnë diçka të pavërtetë, duke shkruar një status në mënyre që ata ta shohin.
Share this post :
 
Info : Cdo e drejte eshte e rezervuar nga administratoret e faqes | Ndihme per Kompjuter | Copyright © 2012. EKLIPS Media